Site icon Telegrafi

Kryeministri Thaçi dhe ministri Shala, “bosët” e ndërmarrjeve publike

Kjo mbikëqyrje nga ana e tyre do të bëhet përmes dy organeve, sekretarit të përhershëm të kryeministrit, që do të emërojë një Komision Rekomandues prej shtatë personave me qëllim identifikimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën e drejtorit në bordin e NP-së përkatëse dhe Njësisë së Politikave dhe Monitorimit prej 5 vetash, e cila do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, për të cilën kjo ministri tashmë ka hapur konkurs.

Para miratimit të këtij ligji qe menduar se ndërmarrjet publike si PTK dhe Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës, do të kalonin nën kontrollin e Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit, por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe ka mbjellë konfuzitet në publik sa i përket kompetencave mbi këto ndërmarrje.

Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, në një intervistë që ka dhënë për “Telegrafin”, është shprehur i bindur se politikat për këto ndërmarrje do t’i bëjë ministria e tij.

“Jo nuk më janë marrë kompetencat. Ne duhet ta qartësojmë ligjin për NP-të, ku qartë thuhet se është një komitet ndërministror, ku do jemi 5 ministra të cilët do të merren me mbikëqyrjen e NP-ve. Është ministria e transportit ajo që duhet të kryej buxhetin dhe politikën e NP-ve”, ka thënë Limaj për “Telegrafin”.

Ai është shprehur se mendon që edhe PTK-ja edhe Aeroporti do të jenë kompetencë e tij.

“Me vet faktin që ne jemi si ministri e që duhet ta mbikëqyrim aktivitetin e këtyre kompanive. Ky komitet do të formohet sipas ligjit mbi NP-të megjithëse ne do të shohim se si do të implemetohet ligj”, ka shtuar tutje Limaj.

Por në ligj, qoftë edhe në një rresht nuk përmendet ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioni.Në sqarimin e përkufizimeve dhe referencave në fillim të ligjit thuhet qartë se fjala “Ministri”, nënkupton Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Ndërsa “Sekretar i Përhershëm” sipas sqarimit nënkupton sekretarin e përhershëm të zyrës së Kryeministrit.

Sipas këtij ligji, Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve, do të themelohet nga ministri në kuadër të Ministrisë me qëllim të mbështetjes së ministrit dhe Qeverisë në ushtrimin e përgjegjësive për NP-të, të cilat u janë dhënë atyre me këtë ligj, ndërsa udhëheqësi i Njësisë për NP do të emërohet nga Ministri, gjë për të cilën MEF edhe ka hapur konkurs.

Kjo njësi sipas ligjit do ti përgatisë dhe dorëzojë Ministrit, për transmetim në Qeveri, analiza dhe rekomandime lidhur me çështjet e NP Qendrore që janë në kompetencën e Ministrit ose Qeverisë.

“Kurdo që është e nevojshme, Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP do të kërkojë dorëzimin e të dhëna më specifike dhe po ashtu mund të kërkojë takim me Bordin e Drejtorëve. Kurdo që këto procesverbale, dokumente ose të dhëna shfaqin shqetësime lidhur me performancën e Bordit të Drejtorëve, menaxhmentit të NP-së ose vetë NP-së, Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP-ve do ta njoftojë Aksionarin(ët) përkatës mbi këto shqetësime’, thuhet në ligj.

Megjithatë, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit do të ushtrojë ndikimin e tij mbi ndërmarrjet publike sipas ligjit permës komitetit ndërministror, ku do të jene 5 ministra të qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu në ligj saktësohet se Qeveria i përgjigjet vetëm Kuvendit për mënyrën në të cilën ajo, Ministri dhe Njësia për Politikat dhe Monitorimin e NP, i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë të cilat u janë dhënë me këtë ligj.

Miratimi i këtij ligji po ashtu e ka vendosur këtë në mbizotërim ndaj të gjitha ligjeve të tjera që janë miratuar deri më tani dhe bën përjashtim vetëm për rastin e RTK-së.

“Ky ligj do t’i zëvendësojë dhe do të mbizotërojë ndaj të gjitha dispozitat në aktet legjislative ose normative të cilat nuk janë në përputhje me të; megjithatë, nëse shfaqet konflikti ndërmjet këtij ligji dhe neneve 21-30 të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës, këto nene të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës do të mbizotërojnë.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka zgjedhur anëtarët e rinj të bordeve të dt ndërmarrjeve kryesore si PTK dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ndërsa zyrtarët e saj kanë thënë se kjo pritet të bëhet gjatë kësaj jave. /Telegrafi/

Exit mobile version