Spanja planifikon t’ju ofrojë të rinjve nga 250 euro në muaj, që të zhvendosen nga shtëpia e prindërve dhe të marrin një tjetër me qira. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i këtij vendi Pedro Sanchez.
Është propozuar që çdo muaj t’i ndahen nga 250 euro të rinjve nga mosha 18 deri në 35-vjeç që fitojnë më pak se 23.725 euro në vit, me qëllim që të ndihmohen që të paguajnë qiranë e shtëpisë apo apartamentit, transmeton Telegrafi.
Propozimet tjera gjithashtu përfshijnë kufizimin e çmimit të qirave për qiradhënësit që posedojnë shumë prona të paluajtshme, me qëllim që të ndihmohen të rinjtë të paguajnë qiranë nëpër qytete të mëdha.
Pronat e paluajtshme në Spanjë janë të njohura për çmimet e larta, kështu pothuajse çdo i ri detyrohet të jetoj me prindërit për shkak qirasë së lartë, pagave të ulëta dhe përqindjes së madhe të papunësisë.
Mesatarisht në Spanjë të rinjtë largohen nga shtëpia e prindërve pas moshës 30-vjeçare, e në vendet e BE-ja kjo mesatare është 26,4 vite.
Ky ligj që Sanchez po e propozon do të bëhet publik dhe për të do të diskutojnë deputetët në Parlament, miratimi i të cilëve do të nënkuptonte se ligji do të mund të hyjë në fuqi këtë vit. /Telegrafi/