Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, i ka kërkuar udhëheqësit katalanas Carles Puigdemont që të konfirmojë nëse e ka shpallur Pavarësinë e Katalonisë.
Ky veprim është hapi i parë drejt aktivizimit të nenit 155 për të pezulluar autonominë e Katalonisë.
Të martën, Puigdemont nënshkroi deklaratën e Pavarësisë, por ka ndaluar zbatimin e saj për t’u lëshuar vend bisedimeve.
Rajoy akuzoi Puigdemont për krijimin e “konfuzionit të qëllimshëm” dhe tha se do që të rivendosë “sigurinë”.
“Kjo thirrje vjen para ndërmarrjes së masës të cilën qeveria mund ta miratojë sipas nenit 155 të kushtetutës sonë e cila kërkon t’u ofrojë qytetarëve qartësinë dhe sigurinë”, tha ai, transmeton KosovaPress.
“Është nevojë urgjente për t’i dhënë fund situatës që po kalon Katalonia, për ta kthyer sigurinë, qetësinë dhe ta bëjë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.
Këto deklarata Rajoy i bëri pas mbledhjes urgjente të kabinetit për diskutimin e hapave të ardhshëm të qeverisë.
Redaktori i BBC Europe, Katya Adler raporton se senati spanjoll ka thënë se ka filluar përgatitjet për të vënë në fuqi nenin 155, por procesi ligjor nuk do të fillojë derisa të merret një përgjigje nga lidershipi katalanas.