Telegrafi

Kryeministri slloven: Evropën e presin dy muaj të vështirë

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, deklaroi sot se para vendeve evropiane janë dy muajt më të vështirë në luftën kundër epidemisë COVID-19, megjithëse miratimi i vaksinave “është drita në fund të tunelit”.

“Pavarësisht vaksinave të miratuara dhe të njoftuara, është e qartë se deri në fund të pranverës nuk do të ketë vaksinim të mjaftueshëm të popullatës për të ndaluar plotësisht përhapjen e virusit”, paralajmëroi Jansha pas një samiti tradicional të Vitit të Ri ku morën pjesë presidenti Borut Pahor dhe kryetari i Parlamentit, Igor Zorçiq.

Kjo është arsyeja pse Sllovenia do të përballet me detyrimin për të parandaluar përhapjen e virusit në javët dhe muajt e ardhshëm dhe kjo është arsyeja pse dy muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirë sesa periudha pas nesh, paralajmëroi Jansha.

Sa i përket variantit të ri të virusit që u regjistrua në Angli, Jansha tha në një deklaratë për shtyp pas takimit se ka pasur një komunikim intensiv midis anëtarëve në ditët e fundit.

Informacioni i deritanishëm tregon se ne po përballemi me një kërcënim të ri dhe një rrezik të ri, pavarësisht nga informacioni pozitiv që kemi marrë ditët e fundit, shtoi kryeministri slloven.

Ai njoftoi se testet masive me analiza të shpejta të antigjenit po fillojnë në Slloveni këto ditë dhe se po bëhen përgatitjet për fillimin e vaksinimit me vaksinën Pfizer në Slloveni.

Sllovenia do të marrë 9.745 doza vaksine deri në fund të vitit dhe sipas udhëzimeve të qeverisë, sasia e parë do të përdoret për të vaksinuar banorët në shtëpitë e pleqve dhe pjesës së personelit në këto shtëpi.

Të gjithë ata do të marrin një dozë të dytë të së njëjtës vaksinë nga një dërgesë tjetër pas Vitit të Ri. /KP/Telegrafi/