Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e pestë tradicional të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në qytetin e Pejës, tha se brenda gjashtë muajve do të ketë zero tarifa biznisore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Rama tha se është koha që të vendosen zero tarifat nga të dyja vendet.
“Zero tarifa biznisore brenda gjashtë mujorit të parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipëri. Tash është koha që të vendosim tarifa 100 për qind e në veri dhe zero tarifa në jug”, tha Rama.
Ai ka folur edhe për vendosjen e tarifës prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Rama tha se ky vendim është irracional në kushte normale.
“Tarifa është një vendim irracional në kushte normale. Kush e sheh tarifën 100 si aspekt ekonomik atëherë gabon, por kjo tarifë është si kundërpërgjigje politike”, ka thënë ai.
Në këtë takim është bërë edhe nënshkrimi i nëntë marrëveshjeve, veçanërisht për unifikimin doganor dhe heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet Kosovë dhe Shqipërisë.
Për heqjen e tarifave të romingut Kuvendi i Kosovës në muajin qershor e kishte miratuar një rezolutë të veçantë. /Telegrafi/