Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, i është drejtuar turmave në qendër të Londrës pasi Partia Laburiste fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të vendit.
Duke folur vetëm pak minuta pasi fitorja e Laburistëve u konfirmua, Starmer u tha turmave se “ndryshimi fillon tani”.
“Ju keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të dhe tani ajo ka ardhur”, tha Starmer, i cili shtoi se me mandatin e ri të Laburistëve vjen edhe një “përgjegjësi më e madhe”.
Siç raportohet, Laburistët vazhdojnë të fitojnë më shumë vende në të gjithë vendin, pasi rezultatet tregojnë se konservatorët janë në rrugën për të parë një nga rezultatet më të dobëta të zgjedhjeve ndonjëherë, me tetë ministra që humbasin pozitat e tyre, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, humbje të madhe pësoi edhe Partia Nacionaliste Skoceze, me liderin e partisë që tha se partia mund të mos mbajë as dhjetë vende.
Ndërkohë, partia e Nigel Farage ka fituar katër vende deri më tani, pasi i është bashkuar garës zgjedhore vetëm një muaj më parë.
Ndryshe, në Irlandën e Veriut, Sinn Fein, ish krahu politik i Ushtrisë Republikane Irlandeze, duket se do të ketë më së shumti vende nga Irlanda e Veriut në Westminster për herë të parë. /Telegrafi/