Site icon Telegrafi

Kryeministri Rama ‘provokon’ sërish Greqinë…kësaj radhe me Ali Pashë Tepelenën

Në rubrikën e përditshme ‘Amarcord’ në Facebook, Kryeministri Edi Rama ka “provokuar” sërish Greqinë, kësaj radhe duke përdorur Ali Pashë Tepelenën.

Kryeministri shkruan në Facebook se revolucioni në Greqi u frymëzua nga Ali Pashë Tepelena.

Statusi në Facebook i Kryeministrit Edi Rama:

Amarcord

195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve. Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rreth e rrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar. /Telegrafi/

Exit mobile version