Telegrafi

Kryeministri Rama pas zhvendosjes së “Sunny Hill” në Tiranë: Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre

Foto: Telegrafi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas anulimit të festivalit “Sunny Hill” dhe zhvendosjes së tij në Tiranë, për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës.

Në një postim të shpërndarë në Facebook, Rama u shpreh i lumtur duke e cilësuar si një lajm të mirë për Shqipërinë.

Ai tutje ka theksuar se Dua Lipa së bashku me të ftuarit e saj do të ndriçojnë Tiranën me shkëlqimin e tyre.

“Lajm i mirë. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre”, ka thënë Rama.

Lexo po ashtu Dua Lipa konfirmon zhvendosjen e festivalit "Sunny Hill" në Tiranë

“S’ka si Tirona jo”, vazhdoi më tej ai.

Lajmi se “Sunny Hill” do të zhvendoset në Tiranë u bë i ditur ditën e sotme (e martë), me një letër të bërë nga themeluesi i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, në drejtim të krerëve të shtetit.

Babai i yllit shqiptar, Dua Lipës, u shpreh i dëshpëruar me shpresë që do të rikthehen sërish sa më shpejt në Kosovë. /Telegrafi/