Telegrafi

Kryeministri përkujton 18-vjetorin e vrasjes së avokatit Bajram Kelmendi dhe djemve të tij

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në 18 vjetorin e vrasjes nga forcat ushtarako policore serbe, ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

“Tetëmbëdhjetë vjet më parë, regjimi kriminal i Serbisë, në shenjë hakmarrjeje për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kidnapoi dhe më pas i ekzekutoi barbarisht Avokatin më të njohur kosovar të kohës, Bajram Kelmendin dhe dy bijtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin”, ka thënë kryeministri përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Bajrami ishte veprimtar i lirisë, duke bërë një punë kolosale në denoncimin me fakte juridike, në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë, të krimeve gjenocidiale të shtetit serb në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye, ai ishte një ndër caqet e para të regjimit kriminal serb”.

“Familja Kelmendi, me sakrificën e saj sublime, do të përkujtohet gjithmonë si një prej familjeve të mëdha të Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë e vendit. Lavdi për jetë e mot Bajram Kelmendit, Kastriotit dhe Kushtrimit!”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/