Telegrafi

Kryeministri i Luksemburgut dërgohet në spital, pasi doli pozitiv për COVID-19

Kryeministri i Luksemburgut është dërguar në spital “si një masë paraprake” një javë pasi doli pozitiv për coronavirus.

Sipas një deklarate qeveritare, Xavier Bettel, u vendos në spital për 24 orë nën vëzhgim, dhe po i nënshtrohej testeve të mëtejshme, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Siç bëhet e ditur, 48-vjeçari filloi një periudhë izolimi 10-ditore në 27 qershor, më pak se 48 orë pas një samiti evropian në Bruksel ku u takua me udhëheqësit e tjerë të BE-së.

Ai po vuante nga simptoma të lehta të tilla si ethe dhe dhimbje koke.

Asnjë pjesëmarrës tjetër nuk u konsiderua si rast kontakti, pasi procedurat ishin respektuar, tha qeveria e Luksemburgut në atë kohë.

Ndryshe, siç vë në pah Euronews, Xavier Bettel mori një dozë të parë të vaksinës AstraZeneca më 6 maj.

Luksemburgu, një vend me 630,000 banorë i vendosur midis Gjermanisë, Belgjikës dhe Francës, ka përjetuar një rritje të infeksioneve në 10 ditët e fundit.

Në numërimin e fundit të shtunën, 136 njerëz kishin dalë pozitivë për COVID-19, shifra që nuk ishin arritur që nga mesi i majit.

Vendi ka parë gjithsej 71,031 raste me COVID-19 dhe 818 vdekje që nga fillimi i pandemisë. /Telegrafi/