Bad News Eagles kanë filluar sot rrugëtimin e tyre në garën për të fituar turneun më të madh të CS:GO, i cili shpërndan çmime në vlera 1 milion dollarë, e ndeshjen siç duket e ka përcjell edhe Kryeministri Albin Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka postuar një foto në rrjetet sociale, duke shikuar ndeshjen e ekipit shqiptar Bad News Eagles, kundër ekipit turk Eternal Fire, të cilën e fituan me rezultat të ngushtë 16:14.
Në foton e postuar në rrjetet sociale, Kurti mbante të veshur një fanellë të ekipit shqiptar, dhe shprehi se është duke bërë tifo për ekipin Bad News Eagles, në turneun më të madh të CS:GO.
“Dhe ja ku jemi sot në garën më të madhe të CS:GO, në PGL Major, duke bërë tifo për ekipin tonë të zemrës, Bad News Eagles. Kualifikimin e dëshiruar e arritëm, tani përpara për fitore. Go Eagles”, ka shkruar Kurti.
Vlen të ceket se kryeministri i vendit, kishte vizituar djemtë e ekipit Bad News Eagles në bootcampin e tyre, jo shumë kohë më parë, për t’i uruar për sukseset e tyre dhe për të diskutuar për eSports në përgjithësi. /Telegrafi/