Në qytetin e Pejës u mbajt ceremonia e hapjes së edicionit të 10-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj.
Ky edicion, që do të zgjasë pesë ditë, nga 21 deri më 25 tetor, përfshin 13 sesione të ndryshme, ku pjesëmarrësit do të ndjekin diskutime me ekspertë të fushës, përfaqësues të qeverisë, akademikë dhe diplomatë.
Tema qendrore e këtij edicioni është “Roli për Humanizmin: Vitaliteti i Përpjekjeve Diplomatike për Përballimin e Krizave”.
Në hapje të saj mori pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mbajti një fjalim mirëseardhës për pjesëmarrësit.
Ai theksoi rëndësinë që Kosova i jep diplomacisë duke theksuar se është thelbësore që ky shtet të investojë në trajnimin e diplomatëve, jo vetëm për përparimin e vendit, por edhe për të kontribuar në skenën ndërkombëtare.
“Nga Madeleine Albright te Martti Ahtisaari, arritjet tona kanë qenë kryesisht sukses i diplomacisë, të mbështetur nga diplomacia e fortë (hard power) dhe diplomacia e butë (soft power)”. Si një vend që ka përfituar shumë nga diplomacia ndërkombëtare, ne besojmë fuqishëm se është detyra e jonë të investojmë në trajnimin e diplomatëve të mëdhenj, jo vetëm për të nxitur përparimin tonë shumë të nevojshëm por gjithashtu për të kontribuar dhe shpaguar botën. Shkolla Diplomatike, e cila tani po feston 10-vjetorin e saj, është një nga mënyrat sesi po e bëjmë këtë”, ka thënë ndër të tjera Kryeministri Kurti.
Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mbajti një fjalim, duke përmendur rëndësinë e diplomacisë ndërkombëtare për Kosovën.
“Kosova është produkt i bashkëpunimit ndërkombëtar, e lindur nga një përpjekje e vendosur globale për të ndalur luftën dhe gjenocidin”, është shprehur ministrja Gervalla.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë, përfshirë Mirjeta Behlulin, Drejtoreshë e Përgjithshme e Akademisë Diplomatike, Rudina Nallbani Hoxhën nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe Mattias Conrad, zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
Ky edicion i Shkollës Diplomatike organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert. /Telegrafi/