Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, tha se sot në Bruksel liderët e Bashkimit Evropian diskutuan për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi “sepse situata në veri të Kosovës është aspekti më i tensionuar tani”, si dhe zhvillimi në Bosnje dhe Hercegovinë pas zgjedhjeve.
Kryeministri kroat vlerësoi se propozimi evropian, franko-gjerman, është i mirë dhe se duhet përkrahur sikurse duhet përkrahur dialogun, sepse i kontribuon stabilitetit në Evropën Juglindore dhe “është e nevojshme të kemi zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Për këtë arsye konkluzionet (e takimit të liderëve të BE-së) i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që ta mbështesin atë”, transmeton Telegrafi.
Siç raporton “Nova”, Plenkoviq tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrel raportoi për pjesëmarrjen e tij në “sesionin e së shtunës së kaluar të Asamblesë Kombëtare Kroate në Mostar, ku u shpreh uniteti i të gjitha partive politike të popullit kroat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mesazhe të forta se BeH është gjithashtu atdheu i popullit kroat”.
“Me këtë u nënvizuan dëshirat për barazi dhe kushtetutshmëri, pikërisht ashtu siç populli kroat në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe shteti kroat dhe veçanërisht qeveria, janë përpjekur ta fusin në agjendën e organeve të BE-së prej vitesh”, tha ai. /Telegrafi/