Site icon Telegrafi

Kryeministri kroat mirëpret rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka mirëpritur vendimin e Komitetit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri kroat, përmes një postimin në platformën X, ka thënë se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar Plenkoviq, transmeton Telegrafi.

 

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar sot raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci. /Telegrafi/

Exit mobile version