Telegrafi

Kryeministri kanadez akuzon Kinën për ndërhyrje “agresive” në zgjedhje

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka akuzuar Kinën për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendit, të cilat u mbajtën në vitin 2019.

Ai akuzoi Pekinin për “lojëra agresive” me demokracitë dhe synim të institucioneve kanadeze.

Kjo deklaratë vjen pasi mediat lokale raportuan se inteligjenca kanadeze identifikoi një “rrjet klandestin” që mbështeti kandidatët kanadezë në zgjedhjet e fundit.

Sipas raportimeve, të paktën 11 kandidatë u mbështetën nga Kina në zgjedhjet federale të vitit 2019.

Duke cituar zyrtarë anonim të inteligjencës, Global News raportoi se Pekini kishte dhënë fonde për këta kandidatë dhe se shumë prej tyre kishin pasur këshilltarë kinezë në fushatë.

Operacioni, i cili thuhet se u drejtua nga konsullata e Kinës në Toronto, pati për qëllim që të ndikojë në politikën kanadeze.

Përpjekja për ndërhyrje besohet të ketë pasur cak të dy partitë kryesore politike – Partinë Liberale të kryeministrit Trudeau dhe partinë opozitare Konservatore.

Mbetet ende e paqartë nëse operacioni ishte i suksesshëm.

Zyrtarët kinezë në Kanada nuk iu përgjigjën pyetjeve të Global News në lidhje me akuzat.

“Ne kemi marrë masa të rëndësishme për të forcuar integritetin e proceseve tona zgjedhore dhe sistemeve tona, dhe do të vazhdojmë të investojmë në luftën kundër ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje”, tha kryeministri kanadez.

Në tetor të vitit 2020, pak para zgjedhjeve në SHBA, agjencitë amerikane të inteligjencës kishin deklaruar se Irani, Rusia dhe Kina janë duke synuar që të ndikojnë në zgjedhje. /REL/