Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje izraelitëve ta bojkotojnë serialin që shfaqet në HBO – “Our Boys”, të cilin e etiketoi si antisemitik.
Ai shkroi në llogarinë personale në Facebook se izraelitët duhet të ndalen së shikuari programin në atë kanal sepse propagandon gënjeshtra kundër shtetit të Izraelit.
Seriali “Our Boys” tregon historinë e vrasjes rrëqethëse të një adoleshenti arab në vitin 2014.
Ai u vra nga ekstremistët hebrenj pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre izraelitëve, studentë të një shkolle fetare në Bregun Perëndimor.
Kjo vrasje ka shkaktuar një seri incidentesh që përfundimisht çuan në një luftë 50-ditore në Rripin e Gazës midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit.
Seriali, i bërë me bashkëpunimin e autorëve izraelitë dhe palestinezë, është i diskutueshëm në Izrael sepse u përqendrua në vrasjen e arabëve, jo në atë që i parapriu. /Telegrafi/