Kryeministri italian Matteo Renzi la të kuptohet se dëshiron të presë Hillary Clinton e jo Donald Trump-in në takimin e liderëve të G7-ës në Italinë e Jugut vitin e ardhshëm.
“Unë respektoj çdo votë të miqve tanë amerikanë”, u tha Renzi gazetarëve në Rio de Janeiro, vetëm disa orë para se të mbahej ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, shkruan Reuters.
“Unë do të mirëpres liderët e G7-ës në Taormina në maj të vitit 2017 dhe padyshim si demokrat unë shpresoj se mund të mirëpres presidentin e ri, kushdo që ajo do të jetë, ” tha ai duke buzëqeshur.
“Por si kryeministër unë do të mirëpres presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara”, transmeton KosovaPress.
Miliarderi Trump, i cili fitoi emërimin e Partisë Republikane, dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, demokratja HIllary Clinton , do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në nëntor të këtij viti.