Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka marrë vendim për emërimin e Ekrem Hysenaj, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Ky emërim ka ardhur pas suspendimi të drejtorit aktual Ilir Murtezaj nga kjo pozitë.
“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ATK-së ushtron këto kompetenca konform Ligjit 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-102 me Ligjin 04/L-115, me Ligjin 04/L- 223 dhe legjislacionin tjetër në fuqi. Pasi të përfundojë detyrën e u. d. të drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, zt. Hysenaj kthehet në vendin e tij të punës sipas aktemërimit të cilin e ka pasur para këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi sot dhe obligohet Ministria e Financave dhe ATK-ja për zbatimin e tij”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, përcjell Telegrafi.
Më muajin tetor 2020, Hoti kishte shkarkuar Murtezajn nga kjo pozitë.
Ish-drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj i cili ishte shkarkuar, kishte theksuar se vendimi për shkarkimin e tij kishte ndikim nga politika, dhe kishe akuzuar kryeministrin dhe Qeverinë për punësime familjare, favorizim të bizneseve edhe nepotizëm në këtë agjenci.
Pas këtij vendimi, ai ishte kthyer në punën më 8 janar 2021, mirëpo në ditën e dytë të punës pas rimarrjes së detyrës i njëjti u suspendua. /Telegrafi/