Telegrafi

Kryeministri holandez Mark Rutte nga Tirana ngre shqetësimin për ndërhyrjet ruse dhe kineze në Ballkan

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte ka vizituar Shqipërinë, prej ku theksoi se ky vend ka bërë progres në vitet e fundit.

Rutte ka folur edhe për ndërhyrjet ruse dhe kineze në Ballkan duke shtuar se situata në Bosnje e Hercegovinë është e përfshirë në krizë politike.

“Shqetësimi ynë është që ajo çfarë vjen si anë negative e kësaj është një influencë në rritje e Turqisë, Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE-së të jetë e pranishme këtu dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë”, tha Rutte.

Mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe nga shumica e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, po shihet si e dëmshme për besueshmërinë e bllokut evropian në rajon.

Shqipërisë i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 dhe prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.

Ajo ka marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave, por megjithatë, asnjë datë nuk është vendosur se kur do të fillojë ky proces. /Telegrafi/