Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka folur për marrëveshjen e arritur sot që i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Thotë se ai vazhdon të mos pajtohet me kërkesën së LDK-së por për shkak të daljes nga kjo situatë ka pranuar një kusht të tillë.
Ai ka sqaruar pikën 1.2 e cila i është shtu dokumentit e që është fjala ‘si orientim’.
“Ligji për demarkacion përbën edhe raportin shtetëror për orientim. E kam bërë një dakordim me kërkesë të LDK-së, besoj se me këtë u kemi hapur mundësi qytetarëve të lëvizin. Në nenin 3, pika 1.2 ku thotë se dokumentacioni do të përdoret si orientim, pra vetëm kjo është shtuar e që ka qenë kërkesë e LDK-së në mënyrë që të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj në konferencë.
Haradinaj ka thënë se ka qenë e panevojshme të ndryshohet kjo pikë, por tregon se e ka mbështetur kërkesën e LDK-së.
“Kemi një ndryshim substancial, kemi dakordim me LDK dhe pas kësaj besoj se janë krijuar mundësitë për ratifikimin e marrëveshjes”, tha ai.
Ai ka theksuar se ende nuk është arritur konsensus me Listën Serbe.
Ndërkaq, liderët e partive politike sot pasdite kanë arritur konsensus që ta ratifikojnë Demarkacionin në Kuvend, pasi është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave.
Ndryshe, seanca për demarkacionin pritet të mbahet të mërkurën, ndërsa të gjitha partitë përveç VV-së dhe Listës Serbe kanë konfirmuar votën pro kësaj marrëveshjeje./Telegrafi/