Telegrafi

Kryeministri Haradinaj priti në takim një delegacion të afaristëve gjermanë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të përzier të udhëhequr nga Christian Wiesenhutter, kryetar i Odës Ekonomike Gjermane – Kosovare si dhe Hans-Jurgen Muller, kryetar i Odes Gjermane – Shqiptare me seli në Berlin.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj i njoftoi ata me zhvillimet në vend, për një dinamikë të re qeverisëse që fokusohet në logjikën e zbatimit të vendimeve dhe projekteve, për agjendën evropiane si dhe përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një ambienti sa më tërheqës dhe të sigurt për investimet gjermanë por edhe atyre të diasporës sonë.

“Kryeministri i Kosovës i inkurajoi dhe u bëri thirrje shefave të dy odave ekonomike për shfrytëzimin e potencialeve investuese në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të lidhjeve politike, të sigurisë dhe ekonomike me Berlinin zyrtar”.

“Wiesenhutter dhe Muller e përgëzuan Kryeministrin për detyrën e re dhe theksuan përkushtimin e dy odave për promovimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Afaristët gjermanë pasi theksuan rëndësinë e pranisë së përfaqësuesve të të dy odave në vizitë u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në nivel ndër-rajonal”.

“Shefat e dy odave respektabile e informuan kryeministrin Haradinaj për iniciativën e zhvillimit të një takimi të përbashkët ekonomik – biznesor të të dy odave, me rastin e shënimit të festave të Nëntorit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/