Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, kanë qenë të pranishëm në premierën e filmit dokumentar kushtuar kapitenit legjendar të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Thjesht “Lorik” është titulli i dokumentarit që tregon jetën dhe karrierën e ikonës së futbollit shqiptar.
“Me Anitën, në premierën e filmit dokumentar ‘Lorik’ që shpalos rrugën jetësore të ish-kapitenit të kombëtares së Shqipërisë dhe futbollistit të rangut botëror”.
“Në karrierën e tij brilante, ai shkëlqeu me klubet prestigjioze, duke qenë gjithnjë shembull i sportistit motivues për ekipin dhe idhull për publikun”.
“Lorik Cana asnjëherë nuk reshti ta ndihmojë vendin e origjinës, Kosovën, përmes aktiviteteve sociale e humanitare si dhe mbështetjen e talentëve të rinj. Krenar!”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook, të cilin e ka shoqëruar me disa fotografi.
Filmit dokumentar “Lorik” është prezantuar në Tiranë nga Digitalb dhe GjirafaStudios, ndërsa është realizuar nga gazetari Andi Deçka.
Dokumentari i kushtohet jetës dhe karrierës së kapitenit legjendar të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Vet ikona e futbollit shqiptar dhe njerëzit e afërt me të, të cilët ndikuan në formimin dhe zhvillimin e tij si person dhe futbollist – rrëfejnë për karrierën e tij. /Telegrafi/