Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje mekanizmave vendor për hetimin e çmimit të naftës dhe marrjen e hapave të nevojshëm.
Haradinaj me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, thotë se është i patolerueshëm dëmtimi i buxhetit familjar të qytetarëve nga kompanitë që importojnë naftë në Kosovë.
“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë. Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar. U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut.
“Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, thotë ai.
Ditë më parë, kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Prokuroria Speciale e Kosovës ta hetojnë së bashku industrinë e naftës.
Përmes një shkrimi në Facebook, Prestreshi, thotë se kompanitë vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta pavarësisht se ato kanë shënuar rënie në botë.
“Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndjeshëm, nesër, po ashtu do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndvështrimi penal, AKK nga këndvështrimi civil”, ka shkruar Prestreshi.
Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë është nga 1.07 centë deri 1.15 centë, ndërsa çmimi i benzinës është nga 1.08-1.16 centë. /Telegrafi/