Telegrafi

Kryeministri grek viziton Ankaranë

Nga takimet e të dy palëve, siç njofton BBC, nuk pritet ndonjë zhvillim impresionues në çështjet që përbëjnë pika fërkimi midis të dy vendeve, por kryeministri grek ka deklaruar se mesazhi që ai do t’i japë palës mikpritëse është se, Greqia dëshiron rehabilitimin e plotë të marrëdhënieve me Turqinë.

48 vjet më parë, një kryeministër grek ishte i fundit që vizitonte Ankaranë. Emri i tij, Konstandinos Karamanlis, xhaxhai dhe babai shpirtëror i kryeministrit të sotëm grek, i cili i trashëgoi edhe emrin.

Tërmeti që goditi fillimisht Turqinë e më pas Greqinë, në gusht – shtator të vitit 1999, duket se i shkundi udhëheqjet respektive, e midis Athinës e Ankarasë u shënua një përafrim që as më optimistët nuk mund ta parashikonin.

Sidomos në planin ekonomik, shifrat janë domethënëse: nga 200 milionë dollarë që ishite volumi i shkëmbimeve tregtare midis të dy vendeve tetë vite më parë, vitin e kaluar arritën në 3 miliardë dollarë.

Por shumë të rëndësishme janë edhe çështjet e nxehta në agjendën e marrëdhënieve dypalëshe. Problemi i Qipros dhe mosmarrëveshjet territoriale i mbajnë peng marrëdhëniet dhe çdo tensionim ka për bazë pikërisht një nga këto dy çështje.