Site icon Telegrafi

Kryeministri grek në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, ka thënë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt.

“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e muajve të fundit”, citohet të ketë thënë Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.

Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.

“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.

Kryeministri grek po ashtu theksoi se ka parë përparim në raportet mes Athinës dhe Beogradit.

Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.

“Besoj se edhe në të ardhmen do të jetë njëjtë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia “është e vendosur” që të vazhdojë rrugën evropiane dhe falënderojë Greqinë për mbështetjen në këtë drejtim.

Vuçiq tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.

Ata po ashtu kanë biseduar për infrastrukturën dhe transportin, për modernizmin e rrugës dhe hekurudhës nga Beogradi në Selanik dhe lidhjen e Serbisë me portet greke. /rel/

Exit mobile version