Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe njëherësh lideri i Partisë Socialdemokrate (SDP), Nermin Nikshiq, është shprehur pas akuzave nga Serbia se armët që janë përdorur në sulmin në veri të Kosovës kanë ardhur nga Tuzla.
Nikshiq tha se pretendimet se armët janë blerë në Tuzla janë të rreme, raporton Nova.rs, përcjell Telegrafi.
“Ditët e fundit shumica e mediave rajonale kanë raportuar pretendimet e zyrtarëve dhe shërbimeve të caktuara serbe se armët që janë përdorur dhe gjetur në veri të Kosovës janë blerë në Tuzla. Dua të them me zë të lartë dhe qartë se këto pretendime janë të rreme dhe si të tilla nuk mund të mbështeten me asnjë provë”, potencoi Nikshiq.
Ai shtoi se Serbia nuk duhet të kërkojë alibi për veprimet e saj në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Unë e kuptoj që Serbia në ditët e fundit është ekspozuar ndaj presioneve dhe dënimeve të mëdha nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi për veprimet e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi mes tjerash kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Sulmi terrorist në Banjskë vazhdon të jetë një prej temave më të diskutuara jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, ku si pasojë humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u plagos një tjetër.
Millan Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në veri të vendit, kurse prokuroria në Serbi pretendon se Radoiçiq kishte marrë armët nga Bosnja e Hercegovina, përkatësisht nga Tuzla.
E një ekspert serb i sigurisë thotë se një version të tillë nuk e beson, dhe se sipas tij nëse një gjë e tillë është e vërtetë – atëherë nuk ka mundur të bëhen pa dijeninë e shërbimeve serbe të sigurisë. /Telegrafi/
Pictured: The terrorists who carried out the attacks trained in Pasuljanske Livade, one of the Serbian Army’s key bases, ~4 days before the attacks. Other exercises took place in the Kopaonik base. The attacks enjoyed the full support & planning of the Serbian state. pic.twitter.com/eWp4dMsGee
— Albin Kurti (@albinkurti) October 1, 2023