Kryeministri britanik, Boris Johnson, synon të lërë izolimin të premten, përkundër lutjeve nga deputetja e Partisë së Punës, Rosena Allin-Khan, për të qëndruar larg njerëzve për shtatë ditë të tjera.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kryeministri Johnson është duke u izoluar në Downing Street, që kur rezultoi pozitiv me Covid-19 të enjten e kaluar.
Megjithatë një zëdhënës ka deklaruar se simptomat e tij mbeten të buta, ndërsa ka ndjekur udhëzimet e Mbretërisë së Bashkuar duke u izoluar për shtatë ditë.
Deputetja Allin-Khan ka thënë se Johnson duhet të dyfishojë izolimin e tij në 14 ditë, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe që të ndryshojnë rregullat aktuale në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas këtyre udhëzimeve, individët duhet të izolohen për shtatë ditë, ndërsa familjet e tëra duhet ta bëjnë këtë për 14 ditë. /Telegrafi/