Site icon Telegrafi

Kryeministri Kurti reagon për rastin e futbollistit Ilija Ivic: Lëreni Ilijan të luajë lirshëm kudo që ai zgjedh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas rastit të 17 vjeçarit nga Graçanica, Ilija Ivic i cili prej më shumë se tri vitesh është pjesë e klubit Flamurtari ku këtë vit është angazhuar në juniorët dhe ka ndeshje edhe me ekipin e parë.

Kurti ka shkruar në Twitter se Ilija Ivic ka qenë subjekt i izolimit nga strukturat ilegale të Beogradit.

“Dje, një djalë 17-vjeçar në Graçanicë, Ilija Iviq, ishte subjekt i izolimit nga strukturat lokale të ndikuara nga Beogradi për shkak të dëshirës për të luajtur me shqiptarët. Marrëveshjet si të vetme nuk mund t’i rregullojnë problemet e dikujt me racizmin apo urrejtjen ndaj të tjerëve. Lëreni Ilijan të luajë lirshëm kudo që ai zgjedh”, ka shkruar Kurti.

 

Ilija Ivic ka marrë ftesë nga përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll dhe si pasojë prindërit e të riut janë pushuar nga puna në komunën e Graçanicës.

Ivic në një intervistë për Telegrafin, kishte treguar se te Flamurtari është pritur shumë mirë nga shokët e ekipit dhe ndihet si në shtëpi, ndërsa ka marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja U19 e Kosovës.

Për këtë akt të serbëve ka reaguar ashpër edhe Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Nuk ka munguar as reagimi i ambasadorit gjerman në Kosovë.

Ndërkohë Telegrafi ka kontaktuar edhe Drejtorin Sportiv të Flamurtarit, Arbnor Morinën i cili ka njoftuar për rastin që i janë larguar prindërit nga puna.

“Ne sot u njoftuam nga djaloshi për rastin që i janë larguar dy prindërit nga puna. Menjëherë kemi kontaktuar me FFK-në për ta njoftuar me rastin”.

“Jemi shokuar si klub me këtë vendim të disa qarqeve, por që ne i qëndrojmë pranë futbollistit tanë”, ka thënë Morina për Telegrafin.

Ilija Ivic ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Flamurtarit për të arritur në ekipin e parë. /Telegrafi/

Exit mobile version