Bad News Eagles ka fituar ndeshjen e parë në turneun më të madh të CS:GO në Brazil, duke e mposhtur ekipin brazilian 00Nation me rezultat 16-3.
Edhe këtë turne Major sikur të kaluarin ekipi shqiptar Bad News Eagles është duke treguar lojë të mirë dhe është dy fitore larg kualifikimit në fazën tjetër.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes rrjeteve sociale ka uruar ekipin Bad News Eagles për fitoren e tyre të parë në Brazil, si dhe i uroi sukses ekipit shqiptar në ndeshjen e tyre të radhës.
Kurti në profilin e tij zyrtar në Instagram shkroi: “Bad News Eagles, ama Bad News (shqip: lajm i keq) vetëm për kundërshtarët. Pas suksesit në Majorin e fundit në Antwerp dhe kualifikimit tani në Rio de Janiero, sot filluan garën e tyre të parë, ku shkëlqyen me fitore 16:3, ndaj ekipit brazilian 00Nation. Suksese në garën tjetër sonte”.
Ekipi shqiptar Bad News Eagles, renditet në vendin e 24–të në ranglistën botërore të CS:GO, ndeshjen e tyre të radhës do ta zhvillojnë më vonë sonte. /Telegrafi/