Telegrafi

Kryemadhi: Qëndrimi i Ramës, ikje e përkohshme nga e vërteta

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e quan qëndrimin e PS-së ndaj Saimir Tahirit, si “ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë”.

Në një status në profilin e saj në Facebook ajo thotë se Rama e ka të qartë që opozita nuk është më çështje kartonash të blerë me paratë e krimit.

Status i plotë i plotë kryetares së LSI-së:

“I frikësuari i drejtësisë Edi Rama doli sot të mbrojë por edhe të shesë sipas interesit bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës Saimir Tahirin. Këshilltarët dhe miqtë e tij të besuar gati gati e kanë bindur Edi Ramën se ai nuk ka gisht në kanabizimin e Shqipërisë, duke harruar se frika e Edi Ramës është më e madhe se çdo parim apo miqësi e tij. Sulmi i sotëm i paprecedent ndaj atij që deri pak javë më parë tundte flamurin e reformës në drejtësi është shenjë e qartë e aktrimit politik dhe paaftësisë për të kuptuar se kësaj reforme nuk i shpëtojnë dot as peshqit e mëdhenj të politikës. Edi Rama gabon kur dëgjon këshilltarët e tij se artificat në ligjet e reformës në drejtësi mund ta shpëtojnë atë nga drejtësia. Por si njeri i pathelluar nxitohet të deklarojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij të pafajshëm duke sulmuar të vetmin organ ligjzbatues që fakton lidhjet e tij direkte me botën e krimit. Qëndrimi i tij personal dhe i grupit parlamentar të PS nuk është asgjë më shumë vetëm se ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë. Sepse më mirë se të gjithë, Edi Rama e ka të qartë që opozita nuk është më çështje kartonash të blerë me paratë e krimit, por çështje fryme dhe vullneti që do sjellin shumë shpejt largimin e bandave nga pushteti”, tha Kryemadhi. /Telegrafi/