Deputetja Monika Kryemadhi ka folur sot hapur para gazetarëve pas arrestimit të ish bashkëshortit të saj, Ilir Meta, dhe ka ndarë edhe ndjesi personale. Ajo deklaroi se divorcin me Metën nuk e kishte menduar kurrë dhe se e do sërish.
Kryemadhi deklaroi se nuk bëhet fjalë për rikthimin, por tek ajo se si ndihesh. Madje ajo theksoi se në një moshë të re do e kishte vrarë veten për Ilir Metën, por se tani do e vriste për fëmijët.
“Do takohemi prapë, por e kisha për t’ju orientuar më shumë, është 167 faqe. Ka ripërsëritje pafund. Ajo do sistemuar nga ana ligjore dhe logjike. Për hir të së vërtetës ju jam mirënjohëse sepse më keni dhënë mundësi të shprehem. Që të jemi të sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën por divorcin nuk e kisha menduar kurrë”, tha Kryemadhi.
“Unë e kam dashur dhe e dua, s’ka rëndësi çfarë bën. Është babai i fëmijëve të mi. Më ka lënë të jem vetvetja, por kur një gjë mbaron, mbaron, nuk e mban dot me zor. Nuk është çështja te rikthimi, është çështja tek ajo se si ndihesh. Prioritetet e një gruaje si puna ime janë fëmijët. Në një moshë të re mund të vrisja veten për Ilir Metën si Romeo me Zhuljetën, por tani e vras veten vetëm për fëmijët. Ilir Meta është një politikan patriot. Kur të përfundojnë paratë tona në bankat e Serbisë dhe të mos kemi para as për rrogat do dalin fjalët e Ilir Metës. Diagnostikimet për politikën shqiptare, Ilir Metës i kanë dalë gjithnjë”, tha Kryemadhi.
Monika doli në një konferencë për shtyp pas arrestimin të Ilir Metës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK, i akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Meta ka qenë nën hetim për disa muaj, me akuzat që lidhen me një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastrimin e dyshuar të parave. Dyshimet përfshijnë edhe kallëzime për shpenzime të paligjshme, përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit nga anëtarë të familjes së tij.
Në të kaluarën e tij, Meta ka mbajtur pozicionet më kyçe në shtetin shqiptar, duke përfshirë detyrat e Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Arrestimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Marrëdhëniet e Meta-s me SPAK kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur përplasje publike me kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar strukturën për manipulime politike dhe zbatim urdhrash nga kryeministri aktual, Edi Rama.
Meta ka paraqitur deklarime në SPAK për disa çështje, përfshirë ato që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe korrupsionin. Ndërkohë, shoqëria shqiptare pret një konfirmim zyrtar nga SPAK për akuzat e sakta që rëndojnë mbi të. /Telegrafi/