Telegrafi

Kryemadhi: Djegia e mandateve masë ekstreme, por e detyruar

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me qytetarët në Shkodër.

Në fjalën e saj, Kryemadhi tha se djegia e mandateve ishte një veprim ekstrem, por kapja e shtetit e detyroi opozitën ta merrte këtë masë.

“Mandatet e LSI-së në Shkodër dhe në Shqipëri kanë qenë mandate “gjaku” dhe ato në fakt janë mandatet e anëtarëve të LSI-së. Prandaj mos ndaloni, komunikoni me komshinjtë për të protestuar, sepse rruga jonë është e drejtë”, tha ajo.

Ish-deputeti i LSI-së Luan Rama tha Shqipëria është në një moment krize kushtetuese dhe institucionale, ndaj opozita dhe LSI, vendosën të ndërmarrin hapin politik të djegies së mandatit, sepse nëse ne do rrinin në atë Kuvend që ka dalë me vota të vjedhura, do të tradhtonin interesin publik.

“Kemi dëgjuar kryeministrin se thotë se kemi frikë nga reforma në drejtësi, por ne tani s’kemi mandat. Çfarë i pengon të çojë në prokurori cilindo emër nga opozita. Ne jemi qytetarë si çdo qytetar tjetër dhe t’i çojnë dosjet në prokurori. Por kjo është një demagogji për të fshehur të vërtetën sepse ai parlament nuk u bë shpresë e shqiptarëve”, tha Rama. /Telegrafi/