Tafil Tafallari vdiq sot si pasojë e një aksidenti, derisa po punonte në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, “Arbën Xhaferi”.
41-vjeçari i cili ishte punëtorë i kompanisë “Bechtel-Enka” u aksidentua me një automjet pune nga kolegu i tij 24-vjeçar, i cili tashmë është në mbajtje.
Përveç Policisë dhe ekipeve mjekësore, në vendin e ngjarjes ka dal edhe ekipi e Inspektoratit të Punës.
Duke u bazuar në hetimin e këtyre të fundit, kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, ka thënë se nuk ka pasur dëshmitarë përreth, gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja.
Sipas tij, viktima e sotme është i vetmi i cili ka qenë punëtor direkt i kompanisë “Bechtel-Enkas”.
“Deri tash është rasti i katërt, tjerët kryesisht kanë qenë punëtorë të nënkontraktorëve”, ka shtuar ai.
Në lidhje me kushtet e punës që ofron “Bechtel-Enka”, Ibrahimi i ka thënë se deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e punëtorëve.
Rasti i sotëm shënon vdekjen e dytë brenda muajit, gjatë punës në autostradën “Arbën Xhaferi”. Për rastin paraprak Ibrahimi ka thënë se ishte vdekje e natyrshme, pasi punëtori kishte pësuar sulm në zemër, por që kishte qëlluar në vendin e punës. /ndertimi.info/