Telegrafi

Kryediplomati i Izraelit kërcënon Hezbollahun se do të shkatërrohej në rast të një “lufte totale”

Izraeli të martën paralajmëroi lëvizjen Hezbollah të mbështetur nga Irani se do të shkatërrohej në rast të një “lufte totale”, pasi një i dërguar i SHBA-së bëri thirrje për de-përshkallëzimin në kufirin libanez.

Komentet e ministrit të Jashtëm, Israel Katz, erdhën pasi Hezbollahu publikoi një video që tregon pamjet e dronit që supozohet se janë marrë nga lëvizja mbi Izraelin verior, duke përfshirë pjesë të qytetit dhe portit të Haifës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Izraeli dhe lëvizja libaneze Hezbollah, një aleat i Hamasit, kanë shkëmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur sulmi i grupit militant palestinez në 7 tetor ndaj Izraelit shkaktoi luftë në Rripin e Gazës.

“Ne jemi shumë afër momentit kur do të vendosim të ndryshojmë rregullat e lojës kundër Hezbollahut dhe Libanit”, tha Katz, cituar në një deklaratë nga zyra e tij.

“Në një luftë totale, Hezbollahu do të shkatërrohet dhe Libani do të goditet rëndë”.

I dërguari amerikan Amos Hochstein, në një vizitë në Liban, më herët të martën bëri thirrje për një de-përshkallëzimin “urgjent” të zjarrit ndërkufitar midis Hezbollahut dhe Izraelit.

“Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut ka vazhduar për mjaft kohë”, tha i dërguari presidencial gjatë një vizite në Bejrut.

“Është në interesin e të gjithëve ta zgjidhim atë shpejt dhe në mënyrë diplomatike – kjo është edhe e arritshme dhe është urgjente”.

Hezbollahu shtoi sulmet në veri të Izraelit javën e kaluar pasi një sulm izraelit vrau një nga komandantët e tij të lartë. /Telegrafi/