Site icon Telegrafi

Kryebashkiaku i Selanikut për vizitë në Shkup

Prefekti i Selanikut, Janis Butaris sot ndodhet në Shkup, në takim me kryetarin e Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov ku do të dakordohet bashkëpunim më të afërt mes dy qyteteve.

Butaris në Shkup do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivanov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ndërkaq është planifikuar edhe takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në deklaratë për “Kathimerini” para vizitës në Shkup, Butaris tha se vizita e tij nuk është e lidhur me bisedimet për çështjen për emrin, por qëllimi është të zhvillohet bashkëpunimi mes dy qyteteve.

“Ne nuk merremi me politikë të jashtme. Përpiqemi me diplomaci mes qyteteve t’i afrojmë qytetarët e dy vendeve dhe bashkërisht të punojmë për zgjidhjen e disa problemeve që i kemi si fqinj”, tha Butaris.

Gazeta greke, thekson se Butaris gëzon popullaritet të madh në Maqedoni dhe pasi që është bërë kryetar i organizatës ekologjike “Arkturos” e ka vizituar Shkupin disa herë, siç thotë ai, me njoftimin e ministrave të jashtëm dhe kryeministrave.

Për vizitën e tij në Shkup, Butaris e ka informuar ministrin e Jashtëm Kotzias, i cili siç ceket “e sheh pozitivisht atë”./Telegrafi/

Exit mobile version