Bardhyl Ukcama
Një nga palo teoritë e pakta filo- turke, e tjerrë prej “intelektualëve” të mejhaneve ballkanike, shqiptarë nga rrënjët, turq në dokje e turq në shpirt, na paskësh qenë se ky pushtim, pushtimi osman, na paskësh shpëtuar nga asimilimi.
Përsa i përket asimilimit të popullsisë shqiptare, të kujtojmë Sanxhakun me qytetin e njohur të Novi Pazarit, një krahinë me popullsi rreth 1 milion (te gjithë shqiptarë nga rrënjët), e asimiluar plotësisht.
Sot thonë se janë boshnjakë a turq.
Të kujtojmë jo më pak se pesë milionë shqiptarë në Turqi, të asimiluar plotësisht, pa asnjë të drejtë kombëtare.
Të kujtojmë “boshnjakët” e Plavës e Gucisë, Ulqinit e rrethinave të Podgoricës, një pjesë të mirë të Gostivarit e qyteteve të tjera të Maqedonisë.
Çamëria, më së pari u shkatërrua nga marrëveshja turko-greke e shkëmbimit të popullsisë, kur qindra mijëra banorë, shqiptarë me kombësi e myslimanë me fe, u detyruan të shpërngulën në Anadoll. Më pas ishte e thjeshtë, më pak se 30 për qind e popullsisë kishte mbetur në ato zona, ku lindi dhe Konica.
Kujtoni shpërnguljet fatzeza të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi me marrëveshjen turko- serbe edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Kujtoni e kujtoni…!!!
Fatkeqësia më e madhe e kombit shqiptar ishte pushtimi osman, ishte një histori e gjatë, tragjike, që synoi zhdukjen nga harta (edhe nga ato harta që mban Edi në ambientet e kryeministrisë) dhe historia e kombeve, të kombësisë shqiptare.
Kurrë nuk i njohu as gjuhë e as ekzistencë.
Kosova është Turqi, thotë kryeministri turk (kryetar i partisë islamike, AK), në Prizren, as me shumë e as me pak se sulltani që eshtrat la në tokën e Kosovës.
Edi Rama duhet të jetë i kujdesshëm në politiken e jashtme.
Paraqitja jo serioze për hir të aleancës me Hashimin apo popullaritetit “jo të dëshirueshëm” të tij në rrethet e thekura islame në Ballkan, mbetet jo e dobishme.
Kryeministri shqiptar nuk mund t’i kalojë “krushqitë e liga të Karl Topisë” në politikën e jashtme me një batutë arrogante ndaj dashamirësve, ish- bashkëpunëtorëve apo kundërshtarëve politikë (më zëmekur në këtë rast), pa paguar më parë një më një “lirat e pajës”.
Hashimi dhe politikanët e tjerë të Kosovës duhet të jenë edhe më të kujdesshëm e të forcojnë lirinë në kushtet e paqes (paqe e atdhe i siguruar falë fuqisë ushtarake të botës së Perëndimit) për popullin e tyre dhe sigurinë rajonale.
(Marrë nga: Gazeta Tema)