Site icon Telegrafi

Krusha e Vogël qe 18 vjet në kërkim të 68 bijve të saj (Video)

Ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që të punohet më shumë për zbardhjen e krimeve të shtetit serb të bëra në Kosovë. Ai ka kërkuar që kryerësit e krimeve të dalin para drejtësisë dhe të dënohen.

Ndërkohë, Krusha e Vogël e Prizrenit vazhdon tash e më shumë se 18 vjet të kërkojë 68 bijtë e saj, që shteti i serb i vrau, i masakroi dhe i zhduku në pranverën e vitit 1999.

Në varrezat e fshatit Krushë e Vogël të Prizrenit, vijnë shpesh familjarë dhe të afërm për të parë e për të rregulluar ndonjë lule, apo edhe për t’i pastruar ato. Por jo vetëm për këto gjëra. Kur ndonjë mysafir jashtë rrethit familjarë iu afrohet varrezave, krushjanët menjëherë do të jenë aty.

E kjo po ndodh pasi jo rrallë, të afërmit e tyre që u vranë e u masakruan në luftë, u rivarrosën herë pas here për gjatë këtyre 18-të viteve që u lanë pas, por eshtrat e tyre sërish nuk po prehen të qeta.

Ato vazhdojnë të ekshumohen, për arsye se, AND-të nuk po korrespondojnë. Një fat të tillë e pati edhe babai i Arsimit….

Kur iu vra e iu zhduk babai, Arsimi ishte vetëm 10-të vjeç, por tregimet e familjarëve gati çdo ditë për ditët e tmerrit që përjetuan në Marsin e vitit 1999-të po e shoqërojnë edhe brezin e ri.

Për gjatë këtyre viteve, banorët e Krushës së Vogël po vazhdojnë të ngrenë zërin për të pagjeturit.

E ndërkaq jeta vazhdon në këtë fshat të vogël, por me halle të mëdha. Brezi i ri po rritet, por në tregimet e tyre asesi të anashkalohet ngjarja e rëndë që ndodhi në fillim të pranverës së vitit 1999.

Banorët  e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe kërkojën nga institucionet e vendit më shumë punë e rezultate konkrete në këtë çështje.

Foto: Ilustrim

Exit mobile version