Site icon Telegrafi

Krujë, polici vrau kushëririn e tij

Ekspertiza e kryer mbi krimin e së shtunës mbrëma nxori përfundimin se Llesh Krosi qëlloi kushëririn e tij, baba i tre fëmijëve, me pistoletën që mbante si efektiv i policisë.

Llesh Krosi u shoqërua bashkë me vëllain e tij, Anton Krosin dhe të birin, me akuzën e “vrasjes së kryer në bashkëpunim”, citoi Panorama.

Burimet e policisë së Krujës thanë se “hetimet kanë treguar se organizimi i vrasjes është bërë nga të dy vëllezërit Krosi, ditën e shtunë, ku mbeti i vdekur pas një atentati kushëriri i tyre, Viktor Krosi, në prezencë të birit, dhe ka qenë arma e policit që është shkrehur ndaj Viktor Krosit dhe, për pasojë, edhe efektivi i policisë e ka pranuar akuzën.”

Llesh Krosi tha se doli “për t’u sqaruar me kushëririn e tij, por situata kishte degjeneruar.”

Dy të arrestuarit, Llesh Krosi dhe Anton Krosi, do të njihen me akuzën zyrtare ndaj tyre dhe pritet të merret edhe masa e arrestit. Vëllai i policit akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e kushëririt.

Policia e Krujës tha se “shkak për krimin u bënë disa përplasje mes familjeve, ndonëse të një fisi, lindur për motive pronësie.”

Viktor Krosi u qëllua për vdekje me 5 plumba pistolete, pak metra para se të arrinte në banesën e tij. Ai po kthehej me karrocën me kalë, me të cilën transportonte ushqim për bagëtitë, bashkë me të birin. Dy kushërinjtë i dolën para mbrëmjen e së shtunës, duke i kërkuar që të ndalte karrocën. Pasi zbritën prej saj djalin e mitur të 37 vjeçarit Krosi, qëlluan ndaj tij 5 herë.

Të arrestuarit thanë në polici se “krimi erdhi si pasojë e vetëmbrojtjes, pas kërkesës për t’u asaruar, pasi Viktor Krosi, pak ditë më parë tentoi t’na qëllonte por për shkak të afrimitetit, nuk pati denoncim, dhe tentuam ta sqaronim çështjen, por kërcënimi sërish i Viktorit se do të na vriste, ka bërë që të humbasim toruan dhe ta qëllojmë.” /Telegrafi/

 

Exit mobile version