Telegrafi

KRU Prishtina: Prej sot janë hapur rrugët ligjore për shkyçje të konsumatorëve borxhlinj

Foto: Ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se i janë hapur të gjitha rrugët ligjore që nga sot të fillojë me shkyçjen e të gjithë konsumatorëve borxhlinj të shërbimeve të ujit.

Sipas njoftimit, kjo është bërë bazuar në vendimin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

“Meqenëse Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë lehtësimin e masave epidemiologjike nga Covid-19, konsiderohet se situata në Kosovë për sa i përket rrezikut nga pandemia është reduktuar dhe se aktivitet shoqërore dhe institucionale i janë kthyer normalitetit sikur në kohën e para pandemisë”.

“Bazuar në Vendimin e ARRU-së , Ujësjellësit të Prishtinës iu janë hapur të gjitha rrugët ligjore që nga sot të fillojë me shkyçjen e të gjithë konsumatorëve borxhlinj të shërbimeve të ujit”, thuhet në njoftimin për media.

Pra, përveç bizneseve dhe institucioneve bëhet e ditur se do të shkyçen nga shërbimet e ujit edhe konsumatorët shtëpiak/individual. /Telegrafi/