Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina” ka ndarë pesë mijë euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Në një njoftim për media, kjo kompani thekson se ofron asistencë me ekipe mobile profesionale, për ujësjellësin e Durrësit,
“Me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Avdullahu dhe me aprovim nga Drejtorët e Bordit të kompanisë u ndanë mjete financiare në shumën prej 5,000 euro, ndihmë financiare për të prekurit nga tërmeti shkatërrues që ndodhi ditë më parë në Republikën e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, kryeshefi Abdullahu ka ofruar asistencë teknike me ekipe mobile profesionale, në raste të intervenimeve në rrjet për ujësjellësin e Durrësit. Bordi i drejtorëve , kryeshefi ekzekutiv dhe të punësuarit e kësaj kompanie shprehin ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura dhe shërim sa më të shpejtë të gjithë atyre që përjetuan këtë fatkeqësi natyrore”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në 24 orët e fundit, në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar dhe të traumatizuar si pasojë e tërmetit, dhe ata kanë marrë trajtim mjekësor menjëherë.
Kështu ka shkuar në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. /Telegrafi/