Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” pas vendimit të marr nga ana e Qeverisë së Kosovës që kufizon lëvizjen e lirë, ka kërkuar që të pajiset me leje në mënyrë që punëtorët të veprojnë lirshëm.
Sipas kompanisë, ky kufizim do ta vështirësonte furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm.
“Duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar së fundmi, konkretisht Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e lëvizjes së lirë dhe qarkullimit, KRU ‘Prishtina’ si kompani e ofrimit të shërbimeve për ujë dhe kanalizim u bën thirrje institucioneve për ndihmë në këtë drejtim ngase rrezikohet operimi në teren, në tetë komunat e zonës së shërbimit, kur dihet se qytetarët tashmë kanë nevojë më së shumti për ujë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRU “Prishtina” thotë se ky vendim do ta pamundësonte veprimin e kompanisë.
“Rrezik përbën pëlcitja e tubacioneve primare dhe sekondare dhe po ashtu pusetat e kanalizimit, që realisht kohën e fundit kanë qenë të shumta. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe dikasteret përkatëse të na dalin në ndihmë me urgjencë për pajisjen me leje speciale karshi operimit të ndërmarrjes sepse na pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/