Site icon Telegrafi

KRU Prishtina: Humbjet teknike dhe komerciale nuk i dëmtojnë konsumatorët

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” po vazhdon t’i furnizojë qytetarët me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë dhe për këtë shërbim është shpërblyer nga ARRU-ja si Kompania me Performancën më të mirë për vitin 2017.

Në media ka qarkulluar një lajm se Ujësjellësi i Prishtinës, humbjet e ujit ua faturon konsumatorëver të vet.

Humbjet e ujit për vitin 2017 kanë arritur nivelin në 57%, e si rezultat i kësaj, humbjet ndahen në dy pjesë, në humbje teknike dhe humbje komerciale.

“Humbjet teknike janë si rezultat i rrjedhjeve të ujit në rrjetat e vjetra shpërndarëse që tashmë iu ka kaluar jetëgjatësia e tyre, duke u shoqëruar me një shkallë të lartë të korozionit dhe kur i shtojmë kësaj që nga marsi i vitit 2017 rrjetat janë në presion 24 orë, atëherë shtohet edhe rreziku i rritjes së rrjedhjes si rezultat i rënies së konsumit gjatë natës dhe rritjes së presionit në atë periudhë kohore”, sqaron KRU Prishtina.

Ndërkaq, humbjet komerciale janë humbje që vijnë si rezultat i keqpërdorimeve/ vjedhjeve të ujit të pijshëm nga konsumatorët e pandërgjegjshëm, përmes formave të ndryshme siç janë, kyçjet ilegale, by-pass, manipulimi me ujëmatës të ujit, etj.

Ujësjellësi ka hartuar strategji për zvogëlimin e humbjeve të ujit të pafaturuar për vitet 2018 – 2022 dhe shpresojmë që në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe me konsumatorët të luftojmë dhe t’i zvogëlojmë këto humbje në vitet në vijim.

“Humbjet teknike dhe komerciale nuk e dëmtojnë konsumatorin, uji i pafaturuar nuk i faturohet konsumatorit, rrjedhjet e humbjet e tilla janë në rrjet dhe para ujëmatësit, derisa konsumatori paguan vetëm për ujin që e harxhon dhe që koston e ujit të konsumuar e përcakton Autoriteti Rregullator i Ujit çdo tre vjet”, thekson sqarimi i ujësjellësit. /Telegrafi/

Exit mobile version