Përmirësimi i kualitetit të shërbimeve për konsumatorët ka qenë temë diskutimi ndërmjet zyrtarëve të KRU “Prishtina” dhe Postës së Kosovës.
Gjatë një takimi që u mbajt në zyrat e KRU “Prishtina”, u mor vendin që në faturat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit të postohet llogaria e Postës së Kosovës, me qëllim që t’ua lehtësojnë punën e pagesave për këto shërbime.
“Përgjatë diskutimeve të njëpasnjëshme lidhur me shërbimet që i ofrojnë këto dy ndërmarrje konsumatorëve, sidomos pagesat e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit që bëhen përmes Postës së Kosovës, u zotuan për përkrahje të dyanshme dhe u dakorduan që të gjitha veprimet t’i ndërmarrin bashkërisht”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
“Do të jemi të gatshëm që të zgjerojmë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera në mënyrë që qytetarëve tanë të ju ofrojmë shërbime sa më afër vendbanimeve të tyre dhe të njëjtat të jenë sa më efikase, u shprehën ndër të tjerash kryeshefat ekzekutiv të të dyja ndërmarrjeve”, përfundon njoftimi.
Në këtë takim të pranishëm ishin kryeshefi ekzekutiv i kompanisë KRU “Prishtina”, Ilir Avdullahu dhe zyrtari kryesor Financiar, Sokol Duraku, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, zyrtari kryesor Financiar i Postës, Behxhet Maliqi dhe drejtori i Departamentit të Shitjes, Bashkim Mustafa. /Telegrafi/