Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka paralajmëruar se do t’i drejtohet organeve kompetente të drejtësisë për shpifje dhe shkarkim të pabazë nga ana e Qeverisë në detyrë.
Qeveria e Kosovës të shtunën ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të KRU ”Gjakova”.
Arsyetimi i vendimit mbi shkarkimin e Bordit të Drejtorëve, ashtu siç e ka vlerësuar autoriteti, përfshin të vetmen shkelje ndërtimi i objektit administrativ në Digë, me të cilën pretendohet nga autoriteti se është ndërtuar jo komfor kërkesave të Ligjeve dhe procedurave në fuqi të ndërtimit, thuhet në reagimin e KRU Gjakova.
Justifikimet e autoritetit në lidhje me shkarkimin e Bordit të KRU ”Gjakova“ qëndrojnë se është lejuar dhe miratuar ndërtimi i një objekti të ri, me madhësi, pamje e destinim të ndryshëm nga objekti i dikurshëm i ngritur në vitet 80 -ta dhe i dëmtuar gjatë luftës. Është vlerësuar nga autoriteti se nuk ka pasur leje ndërtimi, rindërtimi apo renovimi , së është brenda zonave mbrojtëse, është hotel etj.
Bordi i Drejtorëve i KRU ”Gjakova” kundërshton në tërësi vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë për shkarkim, si të pa bazuar dhe plotësisht në kundërshtim me gjendjen faktike dhe juridike të ndërtimit të objektit në fjalë, duke thënë se kompania në asnjë moment nuk ka shkelur procedurat e ndërtimit, por ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e objektit në fjalë.
Është më se e vërtetë se Objekti i dhënë me qira është i ndërtuar në themelet ekzistuese të ish-Objektit Administrativ të vjetër i cili është ndërtuar që nga fillimi i hidrosistemit. Objekti disponon lejen e ndërtimit të vitit 1983 të datës: 05.02.1983, të cilën kompania e disponon në arkivin e saj nga koha kur i është dhënë nga autoritet komunale, thuhet më tej në reagim.
KRU “Gjakova” e quan të pa kontestueshëm faktin e argumentuar me prova materiale se objekti i ka plotësuar të gjitha standardet për dhënien e Pëlqimit nga MMPH për shfrytëzimin e tij me numër 1945-2-17 të datës 25.05.2017.
Gjithashtu pretendimet se është bërë tjetërsim prone nuk qëndron, është një shpifje tjetër sepse prona nuk është tjetërsuar, është dhënë në bazë të procedurave ligjore me qira në mënyrë që Kompania të krijoj të hyra në vlerë prej 30 mijë euro në vit.
Për më tepër, KRU “Gjakova” thotë se nuk është e vërtetë se objekti në fjalë është hotel, pasi i njëjti është Objekt Administrativ i kompanisë ndërsa kati përdhes është i lëshuar me qira dhe se për këtë çështje është konstatuar edhe nga Prokuroria e Shtetit dhe nuk është gjetur asnjë element i shkeljeve ligjore dhe procedurale.
KRU Gjakova” konsideron se autoriteti kompetent nuk ka vlerësuar sukseset që janë arritur nën menaxhimin e Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie.
Përmes kësaj komunikate vlen të njoftohet opinioni i gjerë si dhe vetë autoriteti për të gjitha të arriturat si më poshtë:
-Kompania gjatë mandatit të Bordit të Drejtorëve sipas raportit të Zyrës Rregullative për Ujë dhe Mbeturina është shpallur në vendin e parë për vite me radhë.
-Sukseset e Kompanisë argumentohen edhe në Raportet e Auditorit të Jashtëm për vite me radhë 2016, 2017, 2018 ku Opinioni i Auditorit për pasqyrat financiare është i pastër, i pamodifikuar d.m.th. pa gabime materiale.
Treguesit kryesorë të performancës janë këto:
-Shkalla e arkëtimit nga 71% që ka qenë në vitin 2011, në 98.5% në vitin 2019.
-Humbjet e ujit nga 70% në 2011, janë zvogëluar në 42.7% në 2019.
-Fitimi operativ, dallimi në mes arkëtimit dhe shpenzimeve opertaive nga 77.449 euro që ka qenë në vitin 2011, vitin 2019 e kemi përmbyllur me 1.178.344 euro.
-Investimet kapitale në vitin 2011, 169.276 kurse në vitin 2019, 2.020.000.euro.
-Për periudhën 2012-2019 në total Kompania ka investuar me mjete vetanake dhe donacionet 20.243.579 euro duke përfshirë Fazën e Dytë të përpunimit të ujit, Kanali Derivues i liqenit, renovimi i ndërtesës së Stacionit të Filtrave , renovimi i Objektit Administrativ në Gjakovë, Objekti i Ri Adminstrativ në Rahovec, investimet në rrjetin e ujësjellësit , makineri, automjete, ekskavatorë, IT, pajisje për ekipet e mirëmbajtjes etj.
Numri i konsumatorëve në vitin 2011 ka qenë 27.345 kurse në vitin 2019 ka arritur në 39.039 konsumatorë, ndryshimi prej 11.754 ka të bëjë me zgjerimin e zonës së shërbimit si: Kralan, Bardhaniq, Gërgoc, fshatrat e Rekës së Mirë, Lubizhda e Hasit dhe në vitin 2020 janë inkuadruar edhe 32 fshatrat e Rekës së Keqe.
Nga të gjitha të cekurat më lart, Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” meriton që nga autoriteti të vlerësohet me mirënjohje për sukseset e arritura të kompanisë dhe jo shkarkim, andaj do t’i drejtohet organeve kompetente të drejtësisë për shpifje dhe shkarkim të pabazë, përfundon reagimi.