Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova”, në Ditën Botërore të Ujit thotë se do të furnizojë me ujë 24 orë gjatë shtatë ditëve, si dhe do të zbatojë me përpikmëri të gjitha masat e nxjerra nga institucionet shtetërore dhe shëndetësore.
Sipas një komunikate të kësaj kompanie, kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin e ujit për pirje dhe apelimit të të gjithëve që të ndihmojmë në menaxhimin sa me të mirë të burimeve të ujit.
“Vendin tonë sikur dhe tërë Botën kjo datë kësaj radhe po e gjen në betejë me pandeminë globale COVID-19 (Koronavirus). Ne kushtet e kësaj pandemie ofrimi i ujit të sigurt të higjienës dhe pastrimit janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të njeriut”.
“Prandaj KRU “Gjakova” edhe në këto ditë është afër konsumatorëve duke zbatuar me përpikmëri të gjitha masat e nxjerra nga institucionet shtetërore dhe shëndetësore”.
“Duke uruar që edhe këtë situatë ta kalojmë bashkërisht, ju bëjmë thirrje për shpenzim racional të ujit, njëkohësisht ju lusim për pagesa dhe mirëkuptim. KRU Gjakova zotohet se furnizimi me ujë do jetë 24/7, gjithmonë në shërbim të konsumatorëve”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/