Site icon Telegrafi

Kronologjia e rasteve të helmimeve më të njohura të kundërshtarëve të Putinit

Gjatë 20 vjetëve të pushtetit të presidentit rus, Vladimir Putin, ka pasur shumë raste kur kundërshtarët e hapur të Kremlinit dyshohen se janë helmuar, ndonjëherë me pasojë vdekjen.

Aleksei Navalny është i fundit i cili dyshohet se është helmuar, ku nuk është hera e parë për një rast të tillë. Po ashtu, edhe Vladimir Kara-Murza ishte shtrirë dy herë në spital, si rezultat i helmimit nga një toksinë e panjohur.

Radio Evropa e Lirë ka përmbledhur rastet më të njohura që dyshohet se janë helmuar, si kundërshtarë të Kremlinit.

Aleksei Navalny, gusht 2020 / korrik 2019

Një kritik i hapur i Kremlinit së fundi u shtrua në kujdesin intensiv në Siberi, pasi u sëmur. Zëdhënësi i tij dyshon se ai është helmuar. Ai filloi të ndihej keq derisa nga qyteti Tomsk po fluturonte për në Moskë. Aeroplani u detyrua të bënte ulje të paplanifikuar në Omsk të Siberisë.

Po ashtu, në muajin korrik 2019, udhëheqësi i opozitës ruse u trajtua në një spital në Moskë për shkak të një sëmundje të panjohur. Navalyn vazhdon të dyshojë se ishte helmuar nga autoritetet, ndërsa mjekët thanë se ishte “një reagim akut alergjik”.

Lexo po ashtu Kundërshtari i Putinit, Navalny u dërgua për shërim në Gjermani

Pyotr Verzilov, shtator 2018

Ky aktivist kundër Kremlinit u dërgua në spital pasi u sëmur rëndë. Sipas mjekëve të tij në Gjermani, ai me gjasë është helmuar. Verzilov u lëshua nga spitali dy javë më vonë.

Sergei Skripal, mars 2018

Ish-agjenti i dyfishtë rus dhe vajza e tij, Yulia, u helmuan në Mbretërinë e Bashkuar me agjentin nervor të epokës Sovjetike – Novichok. Të dy u shëruan pas një trajtimi të gjatë mjekësor.

Lexo po ashtu Ish-spiuni Sergei Skripal del nga spitali, dy muaj pas helmimit

Vladimir Kara-Murza, maj 2015 / shkurt 2017

Ky kritik i Kremlinit u shtrua në spital dy herë brenda dy vjetësh, në maj të vitit 2015 dhe në shkurt të vitit 2017. Murza me sa duket u shtrua si rezultat i helmimit nga një toksinë e panjohur.

Aleksandar Litvinenko, nëntor 2006

Litvinenko, një ish-oficer i inteligjencës dhe kritik i zëshëm i Kremlinit që iu dha azili në Britani, vdiq pasi u takua me agjentët e ish KGB-së në një hotel në Londër. Hetuesit e SHBA-së më vonë konstatuan se ai ishte vrarë, pasi çaji i tij ishte helmuar me substancën radioaktive polonium-210.

Lexo po ashtu Raporti britanik, Putin mund të jetë i implikuar në vrasjen e Litvinenkos

Roman Tsepov, shtator 2004

Ky biznesmen nga Shën Petersburgu me lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, vdiq nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga rrezatimi i një substance misterioze.

Anna Politkovskaya, shtator 2004

Gazetarja hulumtuese ruse, Anna Politkovskaya, u sëmur pasi piu çaj gjatë një fluturimi. Toksina që i shkaktoi asaj përkeqësim të gjendjes shëndetësore nuk është identifikuar kurrë. Dy vjet më vonë, Politkovskaya u qëllua për vdekje.

Yury Shchekochikhin, korrik 2003

Ky gazetar hulumtues dhe ligjvënës i mirënjohur vdiq nga një sëmundje misterioze, duke shfaqur simptoma të një reaksioni të rëndë alergjik. Të dhënat e tij mjekësore nuk u bënë asnjëherë publike. /REL/

Exit mobile version