Site icon Telegrafi

Kronologjia e dhunës kundër myslimanëve

Pas  sulmit terrorist në dy xhami në Zelandën e Re bota është e tronditur. Por myslimanët janë bërë edhe herë të tjera objekt i atentateve me motive raciste.

Zelandë e Re 2019: 49 të vdekur në sulmet ndaj xhamive

Në një sulm terrorist në dy xhami në qytetin e Zelandës së Re Christchurch, të paktën 49 njerëz janë vrarë dhe plagosur e 20. Gjatë namazit të së premtes, një sulmues hap zjarr. Policia e Zelandës së Re ka arrestuar katër persona të dyshuar, në makinat e të cilëve ishin gjetur lëndë shpërthyese. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacnda Ardern, e dënoi ashpër sulmin dhe e quajti një nga “ditët më të errëta” në historinë e vendit të saj. Për një gjë të tillë “nuk ka vend në Zelandën e Re”. Të afërmve kryeministrja u shprehu ngushëllimet e saj.

“Zelanda e Re është shtëpia e tyre. Ata do të duhej ta ndjenin veten të sigurt këtu. Është e qartë se kjo mund të përshkruhet vetëm si një sulm terrorist”, ka thënë Ardern. Një nga të dyshuarit thuhet se kishte publikuar para krimit një manifest radikal djathtist, ku e paralajmëronte planin e tij.

Gjermania 2019: Amok në Bottrop dhe Essen

Në prag të ndërrimit të motmoteve, 50-vjeçari Andreas N. nga zona e Rurit u turr me makinën e tij në drejtim të njerëzve. Pati katër të vdekur dhe mbi 20 të plagosur. Goditi një familje siriane dhe një familje afgane me fëmijë në Bottrop. Ndërsa në Essen goditi një grup njerëzish në një stacion autobusi. Shumica e njerëzve arritën të devijonin. Gjatë atentatit ai përdori edhe fraza raciste. Armin Laschet, kryeministri i Landit Nordrhein-Westfalen bëri një mesazh në Tweeter: “Për vitin 2019 ka vetëm një zotim: Të jemi së bashku kundër dhunës djathtiste. Luftën kundër urrejtjes ndaj te huajve ne do ta vazhdojmë me të gjitha mjetet e shtetit të së drejtës.”

Kanada 2017: sulm ndaj një xhamie në Quebec

Në Qendrën Kulturore Islamike të Quebec-ut, gjatë lutjeve të mbrëmjes, u vranë me armë zjarri gjashtë persona, ndërsa 18 u plagosën. Kryeministri kanadez Justin Trudeau e quajti ngjarjen një “sulm terrorist mbi myslimanët në një qendër adhurimi dhe strehimi.” Në një deklaratë ai tha ndër të tjera: “Kanadezët myslimanë janë pjesë e rëndësishme e kombit tonë dhe për këto akte të pakuptimta nuk ka vend në komunat, qytetet e fshatrat tona.”

SHBA 2017: Në Charlottesville një veturë e një djathtisti i sulet turmës

Në një miting djathtistësh në Charlottesville, Virginia, SHBA, një makinë e një djathtisti i vërsulet një grupi kundërdemonstruesish. Një grua gjen vdekjen. Së paku 33 të tjerë duhet të trajtohen në spital. Autoritetet e quajnë akt të qëllimshëm. Shoferi është një 20-vjeçar nga Ohio. Veç këtyre vdiqën edhe dy policë, si pasojë e rrëzimit të helikopterit të tyre, që kishte shkuar për të ndërhyrë gjatë përleshjeve mes djathtistëve dhe kundërdemonstruesve.

Britani e Madhe 2017: Sulmi ndaj një xhamie në Finsbury

Më 19 qershor 2017 një 47-vjeçar me një furgon shtypi për vdekje një person dhe plagosi dhjetë të tjerë te pragu i një xhamie në Finsbury Park, në veri të kryeqytetit britanik, Londër. Të gjitha viktimat ishin myslimanë që po shkonin të falnin namazin e Ramazanit. Një dëshmitar tha për BBC-në, se atentatori kish thënë se ishte nisur të vriste myslimanë. Si motiv ai më vonë gjithashtu deklaroi “islamofobi”. Kryeministrja britanike, Theresa May e quajti nje “incident të tmerrshëm”. Drejtuesi i automjetit u dënua me burgim të përjetshëm.

Gjermani 2016: Amok në qendrën tregtare Olympia në Mynih

Të paktën dhjetë vetë vdesin nga një amok në Qendrën Tregtare “Olympia” në Mynih. Atentatori, një nxënës 18-vjeçar, më pas vrau veten në vendin e ngjarjes. Ngjarja u zhvillua më 22 korrik 2016. Atentatori i kishte blerë armët në platformën anonime të internetit “Darknet”. Si motiv ai kishte dhënë në polici, urrejtjen ndaj të huajve.

SHBA 2015: Vrasje në Chapel Hill

Një burrë, e shoqja dhe e motra, të tre studentë, u vranë në shtëpinë e tyre në Chapel Hill, North Carolina, nga një fqinj 46-vjeçar. Craig H e përshkruante veten e tij në Facabook si antifetar dhe kishte publikuar një fotografi me një pistoletë me nënshkrimin “Unë”. “Ne jemi qartë të sigurtë se vajzat tona u sulmuan për fenë e tyre”, tha babai i dy motrave, Mohammad Abu-Salha.

Norvegji 2011: Vrasja masive e Breivik-ut

Më 22 korrik ekstremisti djathtist Anders Breivik vrau shtatëdhjetë e dy vetë në dy sulme. Viktimat e ishin kryesisht të rinj të angazhuar në Partinë Socialiste të Norvegjisë. Ishte një nga sulmet më të përgjakshme në historinë e Evropës të pasluftës. Ai si fillim hodhi një bombë në një lagje të Oslos, pastaj vrau të rinjtë në ishullin Utøya. Këtë vepër mizore, Breivik-u më parë e kishte planifikuar deri me detaje. Në një manifest të shkruar prej tij ai thoshte se me këtë donte t’i jepte fund multikulturalizmit që e urrente dhe “islamizimit të Evropës”. Breivik-u u dënua me 21 vjet burgim dhe me pasburgim parandalues.

Gjermani 2009: Sulm me thikë në sallën e gjyqit

Marwa El-Sherbini jetonte si farmacist me bashkëshortin dhe djalin e saj në Dresden. Më 1 korrik 2009 ajo ndodhej në gjyq pasi kishte paditur një gjermano-rus për fyerje. Në atë kohë ajo ishte në muajin e katërt të shtatzënisë. El-Sherbini konsiderohet viktima e parë e një vrasjeje me motiv të qartë islamofobik në Gjermani. 31-vjeçarja u godit me thikë menjëherë pas dëshmisë së saj në proçes nga 28-vjeçari gjerman me prejardhje nga Rusia, Alexander W. Më parë ai e kishte quajtur atë “islamiste” dhe “terroriste”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Sulmet në Zelandën e Re

Vrasësi e kishte pranuar ndërkohë në një letër drejtuar gjykatës gjykatë urrejtjen e tij ndaj myslimanëve. Deri më sot, nuk është e qartë se si hyri thika në sallën e gjyqit. Gjithashtu mbetet e paqartë edhe se pse u qëllua me armë i shoqi i gruas kur nxitoi për t’i dhënë ndihmën asaj. Ai u lëndua për vdekje, por arriti të mbijetonte. Tani jeton në Kanada me djalin e tij. 1 korriku në Gjermani është shpallur si dita kundër racizmit anti-mysliman.

Exit mobile version