Telegrafi

Kromi i Kalimashit, turq dhe shqiptarë në garë

Pas eksperiencës së deritanishme lidhur me fushën e dhënies me koncesion të minierave dhe kombinateve të përpunimit minerar në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjetikës merr edhe një herë iniciativën për dhënien e atyre minierave që kanë mbetur të paprekura pas viteve ‘90.

Kështu, miniera e kromit në Kalimash, ajo në Vlahnaj, si dhe kombinatet përkatës të përpunimit do t’u nënshtrohen tashmë procedurave të prokurimit. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Energjetikës ka hapur procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të minierës së kromit në Kalimash, minierës së kromit në Vlahnaj, fabrikës së pasurimit të kromit në Kalimash dhe fabrikës së pasurimit të bakrit në Golaj.

Afati i fundit i dorëzimit të ofertave është data 11 shkurt 2009 dhe ato do të hapen në të njëjtën ditë”, bënë të ditur dje burime nga METE. Nga burime konfidenciale mësohet se njëra nga kompanitë e interesuara për të marrë me koncesion minierën e kromit në Kalimash është turke, ndërsa duket se në garë do të hyjë edhe një tjetër kompani me aksionerë shqiptarë. Ndërsa për sa i përket minierës së Vlahnajt, ende nuk dihet se kush janë të interesuarit.