Site icon Telegrafi

Kroatit të Vllaznisë i vije Kombëtarja e Kroacisë në shtëpi (Foto)

Për Ivor Weitzer, ndeshja me Kosovën do të jetë mjaft speciale. Në fakt, futbollisti kroat do të përballet me ekipin e Albert Bunjakin në “shtëpinë” e tij.

Ai luan aktualisht në Vllazninë e Shkodrës dhe ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit të Rusisë, do të luhet pikërisht në stadiumin e klubit shkodran, në “Loro Boriçi”.

28-vjeçari e pret me padurim përballjen e 6 tetorit. “Unë ende nuk e ndiej ‘erën’ e lojës së madhe. Për Kosovën, kjo është një ndeshje e madhe sepse luan për herë të parë ndaj një skuadre të madhe dhe Kroacia është e tillë”, ka thënë futbollisti nga Rijeka, raporton Zëri.

“Me siguri, në javën tjetër do të rritet interesimi, por pyetja është nëse stadiumi do të mbushet. Posaçërisht për faktin se Shqipëria luan kundër Spanjës në të njëjtin stadium pas tri ditësh. Bileta për ndeshjen me Kroacinë është 15 euro dhe për vendësit nuk është një çmim i volitshëm. Sidoqoftë, Kroacia është një destinacion për të gjithë dashamirët e futbollit dhe futbolli në Shkodër është gjëja më e rëndësishme në botë”, ka vazhduar ai.

Ai shpreson t’i jepet rasti të paraqitet në këtë lojë dhe të fitojë me Kroacinë, në praninë e 18 mijë shikuesve në Shkodër.

Exit mobile version