Sulmuesi i Përfaqësueses së Kroacisë, Nikola Kaliniq, është i bindur se ekipi i tij tash është futur në mesin e favoritëve të “Euro 2016” pas triumfit ndaj Spanjës.
Kroacia, të martën mbrëma, mposhti 2:1 Spanjën që është kampione e dy evropianeve të fundit, për të përfunduar fazën e grupeve në krye të Grupit D.
Po ashtu, edhe koeficienti i Kroacisë për të triumfuar në “Euro 2016” është përgjysmuar nëpër të gjitha bastoret e botës pas triumfit të fundit. Kaliniq ishte ai që barazoi rezultatin pas epërsisë së Spanjës me anë të Alvaro Moratas, kurse fitoren Kroacisë ia dha mesfushori Ivan Perishiq.
“Ishte shumë vështirë, pasi ishim prapa të gjitha ekipeve favorite para fillimit të evropianit, por ne dëshmuam se mund të matemi me të gjitha dhe ky është një sinjal i fortë që e kemi dërguar”, është shprehur Kaliniq.
“Tash jemi në mesin e favoritëve të mëdhenj për të fituar këtë turne. Çdo gjë është e mundur pas fitores ndaj Spanjës”, përfundoi ai.